REXHEPI PËR KDP: ENERGJIA ËSHTË KYÇE NË GJEOPOLITIKËN E SHEKULLIT TONË

REXHEPI PËR KDP: ENERGJIA ËSHTË KYÇE NË GJEOPOLITIKËN E SHEKULLIT TONË

Bajram Rexhepi, drejtor i kompanisë shtetërore të RMV “Resurset Kombëtare Energjetike” thotë se energjia është faktori kyç në gjeopolitikën e këtij shekulli. Por thekson se, përveç Serbisë, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk përdorin shumë gaz natyror.

“Edhe kjo sasi e vogël që përdoret është krejtësisht gaz nga Rusia”, thekson Rexhepi në një intervistë për KDP.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është më pak i cenueshëm sesa pjesa tjetër e Evropës Lindore dhe e BE-së në përgjithësi. Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë, se vende të fuqishme brenda BE-së kanë treguar një mungesë solidarizimi dhe disharmoni të jashtëzakonshme me shtete të Evropës Lindore. Kjo prodhon një cenueshmëri të lartë në këto shtete dhe dëme të pallogaritshme ekonomike dhe gjeopolitike”, thotë Rexhepi.

Më poshtë lexoni intervistën e plotë:

KDP: Bota po ballafaqohet me krizë energjetike, e cila rrezikon të shkaktojë edhe efekte negative ne ekonomitë e Evropës. Çka realisht po ndodh?

Rexhepi: Jo, nuk jam dakord se kriza energjetike është në përmasa botërore. Theksi i krizës është në Evropë. Janë më shumë faktorë që kanë ndikuar këtë krizë, por disa prej tyre janë determinues. E para ishte rritja e mënjëherëshme e kërkesës për resurse të energjisë në shumë vende të Evropës këtë Verë, pas përmirësimit të situatës epidemiologjike, dhe dimrit më të gjatë se zakonisht, e dyta këtë verë kishte një situatë të disfavorëshme për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e renovueshme, dhe sidomos ato me erë, por shkaku kryesor është reduktimi i menjëhershëm i rrjdhës se gazit rus nepër Ukraine, pasi ato filluan të mbushin gazsjellësin në rrjedhën e re Baltike. Në ndërkohë, Bashkimi Evropjan është duke reduktuar në mënyrë të konsiderueshme përdorimin e qymirit dhe energjisë bërthamore, për prodhimin e energjisë elektrike. Këtu duhet të kërkohet shkaku i kësaj krize energjetike.

Efektet negative ekonomike tani më janë reale, edhe përkundër subvencionimit dhe intervenimeve që bëjnë shumica e qeverive në vendet e BE-së, dhe të rajonit. Është e qartë se në shumë shtete do ketë inflacion bile edhe dyshifrorë, për shkak se shumica e industrive janë në varësi direkte nga energjia elektrike dhe gazi natyror.

KDP: Sa vendet e Ballkanit Perëndimor janë të varura nga gazi i Rusisë? A mund të përdoret kjo varshmëri si mjet për të rritur ndikimin? Nëse po, si?

Rexhepi: Përveç Serbisë, në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, gazi natyror nuk ka përdorim të theksuar aktualisht, por edhe kjo sasi e vogël që përdoret , është krejtësisht gaz Rus. Megjithatë, lëshimi në përdorim i rrjedhës Jugore – TAP, dhe ndërtimi i LNG terminaleve të reja në rajon, në mënyrë të konsiderueshme e zvogëlon këtë varshmëri,dhe diversifikon burimet e furnizimit.

Energjetika në përgjithësi, është faktori kyç në gjeopolitikën e shekullit që jetojmë, por rajoni i Ballkanit Perëndimor, është më pak i cënueshëm sesa pjesa tjetër e Evropës Lindore, dhe Be-së, në përgjithësi. Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë, se vende të fuqishme brenda BE-së, kanë treguar një mossolidarizim dhe disharmoni të jashtëzakonshme me shtete të Evropes Lindore, dhe kjo prodhon një cënueshmëri të lartë në këto shtete, dhe me dëme të pallogaritshme ekonomike dhe sidomos gjeopolitike.

KDP: Me çfarë çmimi e blejnë gazin vendet e Ballkanit veç e veç, konkretisht Maqedonia e Veriut? Nëse ka dallime, pse ndonjë shtet e blen më lirë e ndonjë më shtrenjtë?

Rexhepi: Tregu i gazit natyror është i hapur dhe i lirë. Problemi qëndron te ato shtete që nuk kanë alternativa të furnizimit, ashtu siç jemi edhe ne si shtet aktualisht, dhe kjo mundëson që çmimet të dallojnë. Këtë vit mesatarja e çmimit të furnizimit ne Maqedoni ka qenë më pak 300 dollarë për 1000 m3 gaz natyror, por kjo nuk do të thotë se vitin e ardhshëm do të kemi të njëjtën situatë.

KDP: Sa përdoret gazi si burim energjetik në Maqedoninë e Veriut (si përqindje) në krahasim me burimet tjera?

Rexhepi: Nëse referohemi te të dhënat e vitit të kaluar, në vendin tonë janë harxhuar rreth 7400 GWh, energji elektrike, dhe rreth 3200 GWh, gaz natyror. Ky është krahasim më i kuptueshëm pa mos llogaritur, burimet tjera të energjisë : naftës, drurit, thëngjillit, energjisë termale, diellore… etj.

Por pjesa dërmuese e gazit natyror te ne , shfrytëzohet nga kombinati TeTo, për prodhimin e energjisë elektrike.

KDP: Ka kohë që paralajmërohet ndërtimi i gazsjellësit në Maqedoninë e Veriut. Kur ekonomitë dhe amvisëritë do të mund të kyçen në rrjetin e gazit?

Rerxhepi: Planifikimi dhe ndërtimi i kapaciteteve energjetike nuk është se bëhet për një vit. Natyra e këtyre projekteve kërkon një planifikim afatgjatë. Gazi natyror përdoret edhe sot, por jo në mënyrë masovike. Plani jonë është që të ketë shfrytëzim masiv, por edhe arsyeshmëri ekonomike. Kemi ndërtuar rreth 270 km të rrjetit të transmisionit dhe mbeten edhe rreth 10 km që të përfundojme projektet aktuale. Akoma jemi në krizë pandemie, dhe nuk është mirë të bëjmë parashikime të sakta, por besoj se nëse nuk paraqitet ndonjë situatë e jashtëzakonshme, vitin e ardhshëm të gjitha këto akse do të lëshohen në përdorim dhe do të kemi të përzgjedhur edhe kompaninë që do të bëjë distribuimin nëpër qytete.

KDP: Nga ku e blen gazin aktualisht RMV dhe çfarë planesh ka për të diversifikuar burimet me qëllim të mosvarrjes nga një furnizues?

Rexhepi: Aktualisht kemi vetëm një linjë interkonekcioni me Bullgarinë me kapacitet 800 miljon m3 në vit. Kjo do të thotë se jemi krejtësisht të varrur nga gazi Rus. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që vitin e ardhshëm të fillojë ndërtimi i linjës së interkonekcionit më Greqinë, dhe kështu do të krijojmë qasje për furnizim nga shumë burime të tjera. Plani jonë është që deri në fund të vitit 2023, kjo linjë të jetë në përdorim dhe të kemi shumë më tepër burime furnizimi.

KDP: Si e vlerësoni praninë e Rusisë në sferën e energjetikës në Ballkanin perëndimor dhe RMV?

Rexhepi: Besoj se e kemi të qartë se energjetika, është arma më e fuqishme gjeopolitike sot. Por, në anën tjetër ekonomia e tregut është vlera fundamentale e sistemeve demokratike. Në ndërkohë ne si shtet këmi pranuar të përmbushim objektivat e “EU-green deal”, që deri në vitin 2050 të clirohemi nga shfrytëzimi i burimeve fosile të energjisë. Kjo kërkon investime të medha në kapacitete të reja dhe ekologjike, por edhe krijon një zbrazëti në tregun energjetik, dhe Rusia sigurisht që nuk don të jetë vetëm spektator i këtij tranzicioni. Në këtë shumëkëndësh interesash, një strategji afatgjate dhe mjeshtëri politike është më se e nevojëshme, por shpeshherë është edhe e pamjaftueshme.

Une besoj se ne si shtet jemi në rrugë të mbarë, por fatkeqëisht në ndërkohë jemi aktor shumë i vogël në kuptimin energjetik, dhe jemi në varrësi direkte nga orientimet e aktorëve të mëdhej.

Qeveria e Kosovës paralajmëroi se do të pezullojë ndërtimin e linjës së interkonekcionit të gazit me RMV, si e komentoni këtë paralajmërim ?

E kam ndjekur me vëmëndje debatin për këtë temë në Kosovë. Ne kemi një memorandum të nënshkruar në mes ministrive përkatëse, për ndërtimin e linjës së interkonekcionit të gazit, dhe akoma nuk kemi një konfirmim zyrtar për pezullim, në ndërkohë që deri tash janë harxhuar rreth 650 mijë Euro për studimin e fizibilitetit, grant të WBIF, pra para të Bashkimit Evropjan, dhe akoma më tepër janë harxhuar nga MCC në Kosovë.

Kosova ka rezerva të konsiderueshme të thëngjillit, dhe gjithcka do të ishte në rregull, nëse prodhimi I energjisë elektrike në termocentralet me thëngjill, do të mund të vazhdonte normalisht. Por, tani më të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare kanë pezulluar financimin e impijanteve me thëngjill, ashtu si edhe bankat komerciale, pasi taksat e këtij prodhimi në vitet ne vazhdim do të jenë shumë të larta, dhe kjo, punën e termocentraleve do ta bëjë ekonomikisht të pa arsyeshme. Të mos flasim për aspektin ekologjik. Studimet kanë treguar se afër 19000 njerëz ne vendet e BE-se rreth nesh, kanë vdekar në tre vitet e fundit si pasojë e ndotjes që shkaktojnë termocentralet në vendet e Ballkanit Perëndimor. Paramendoni si mund të jetë situata te ne.

Besoj se është e nevojëshme të sqarohen disa fakte të rëndësishme. E para nëpërmjet këtij interkonekcioni Kosova do të mund të furnizohet me gaz nga cdo furnizues në botë, përfshi edhe LNG – Amerikane. E dyta, kjo infrastrukturë përveç transmisionit të gazit, do të mund të shfrytëzohet edhe per transmission të hidrogjenit, pra do të shfrytëzohet edhe më gjatë se në 30 vitet e ardhëshme. E treta , gazi është një resurs shumë më ekologjik i energjisë dhe do të jetë e vetmja mënyrë për të balansuar sistemin energjetik që pretendohet të bazohet në burime të renovueshme. Unë mendoj se nëse Kosova pezullon këtë projekt, gjatë 10 viteve të ardhëshme do të rris në mënyrë të vazhdueshme varshmërinë e energjetike nga importi i energjisë elektrike, dhe kjo mund të krijojë jostabilitet ekonomik dhe rritje të ndjeshme të shkallës së inflacionit.