Ku do të kalojë përfundimisht linja e segmentit të gassjellësit nga Shkupi drejt Gostivarit – përmes Tetovës, përmes parkut pyjor të Vodnos, siç propozon Qeveria, apo në një trasë tjetër më të gjerë dhe shumë më të kushtueshme, siç propozojnë organizatat joqeveritare. Si po zhvillohet rrjeti i gasit në Maqedoni, në përgjithësi, dhe lidhja interkonektuese me vendet fqinje. Për këto çështje flet në një intervistë për MIA drejtor i Resurseve Energjetike të Maqedonisë "NER" Bajram Rexhepi.
Zoti Rexhepi, së fundmi keni marrë detyrën e re dhe menjëherë u përballët me reagime nga organizatat joqeveritare që kundërshtojnë ndërtimin e magistrales së gazsjellësit përmes parkut pyjor të Vodnos. A po e shkatërroni Vodnon me këtë ndërtim, siç ju akuzojnë?
– Shpesh është përdorur shprehja se Vodno po shkatërrohet. Mendoj se fjala “shkatërrohet” është larg e përshtatshme. Në realitet, Vodno jo vetëm që nuk do të dëmtohet nga ky projekt, por do të ketë edhe përfitime. Ne i kemi kuptuar plotësisht shqetësimet e organizatave joqeveritare, qytetarëve dhe të Qytetit të Shkupit, dhe na vjen mirë që ndërgjegjësimi i qytetarëve po rritet, gjë që në të vërtetë është një lajm i mirë. Për këtë arsye, kemi zhvilluar komunikim të gjatë dhe shumë produktiv me ta dhe, si rezultat, Qeveria vendosi që segmenti i gazsjellësit Shkup – Tetovë – Gostivar, i parashikuar të përfundojë deri në Ohër, të vazhdojë të ndërtohet në të njëjtën linjë, por me disa ndryshime dhe masa shtesë.
Parashikohet që gjërësia e brezit të punimeve të ulet nga 25 në 10 metra, si dhe të ndryshohet trasa në majën e Vodnos, ku ndodhet pylli me trungje të larta. Trasa e re e propozuar do të kalojë pranë një shtigjeje dhe një rruge ekzistuese; parashikohet vetëm zgjerimi i saj me disa metra në të majtë dhe të djathtë, duke shmangur edhe më shumë prerjen e pyllit të Vodnos, e cila, sipas analizave të ndërmarrjes publike “Parku dhe Gjelbërimi” Shkup, përllogaritet në rreth 1.400 metra kub dru. Qeveria ka vendosur të kompensojë shumëfish prerjen e bërë përmes pyllëzimit të kësaj zone dhe rikthimit të saj në gjendjen fillestare brenda disa muajve.
Duhet të jetë e qartë se, përveç prerjes së asaj sasie drunjësh, në Vodno nuk do të ketë asnjë ndikim tjetër negativ mbi mjedisin, sepse tubacioni do të vendoset më shumë se një metër nën tokë dhe pas disa muajsh nuk do të dallohet më vendi nga i cili kalon gazsjellësi. Kjo është e dëshmuar dhe mund ta shihni nëse vizitoni segmentet tashmë të ndërtuara, ku në vendngjarje mund të bindeni se nuk vërehet asgjë, përveç kunjave që ne vendosim për të shënuar trasenë.
Ku kalon saktësisht trasa dhe cilat janë përfitimet që i përmendët?
Trasa e këtij segmenti ndërtohet në anën jugore të Vodnos, e cila në pjesën më të madhe nuk është e pyllëzuar. Nga Sopishta ngjitet drejt majës së Vodnos, gjatë gjithë kohës në anën jugore, dhe zbret drejt Matkës.
Përfitimet do të jenë të shumëfishta. Do të pyllëzohet një sipërfaqe shumë më e madhe sesa ajo që do të prehet; do të krijohet një shteg shumë i bukur dhe i rrafshët që do të mund të përdoret për ecje; dhe brezi që do të hapet do të shërbejë gjithashtu si pengesë në rast zjarresh.
Përveç kësaj, sjellja e gasit në këto rajone do të jetë zëvendësim i plotë për përdorimin e druve për ngrohje, duke shpëtuar kështu miliona metra kub dru në këtë zonë dhe në shumë të tjera në vend, të cilat aktualisht priten dhe përdoren për ngrohje.
A u pajtuan organizatat joqeveritare me ndryshimet e propozuara të trasës dhe masat e parapara?
Unë u befasova pozitivisht nga kreativiteti i ideve dhe propozimeve të tyre, dhe disa ndryshime u bënë pikërisht mbi bazën e sugjerimeve të tyre. Megjithatë, te ata mbizotëron mendimi se duhet kërkuar një trase alternative.
Cila është trasa alternative që e propozojnë organizatat joqeveritare?
Ata mendojnë se një variant më i mirë do të ishte që trasa të ndërtohej përgjatë unazës veriore të Shkupit ose në zonën e Shkupskës Crna Gora. Por, në këtë fazë një ndryshim kaq radikal nuk është racional dhe as i mundur. Kjo bazohet në analizën e detajuar që e kemi përgatitur dhe ia kemi dërguar Qeverisë, e cila, për dallim nga organizatat joqeveritare, mban përgjegjësi ndaj organeve kontraktuese dhe institucioneve financiare, veçanërisht kur implikimet fiskale janë të mëdha.
Pse është i pamundur ndryshimi i trasës?
Së pari, ajo pjesë alternative nuk është variant më i mirë nga aspekti ekologjik. Së dyti, projekti ka vendim të formës së prerë për mjedisin, ka leje të vlefshme ndërtimi, është bërë studimi i fizibilitetit dhe janë kaluar të gjitha procedurat juridike dhe formale.
Ndryshimi nuk është racional, sepse projekti do të shtyhej minimalisht për katër deri në pesë vjet, ndërsa tashmë është realizuar rreth 23 për qind e të gjithë segmentit. Në proces është procedura e eksproprijimit, janë bërë vlerësimet, janë dërguar propozimet në Drejtorinë për marrëdhënie pronësore-juridike dhe disa parcela janë paguar tashmë. Sipas analizave tona, ndryshimet do t’u kushtonin qytetarëve mbi 20 milionë euro.
Për më tepër, ndryshimi nuk është i mundur sepse në vitin 2015 shteti është huazuar nga Deutsche Bank dhe Erste Bank me rregulla dhe detyrime shumë të rrepta, dhe kredia duhet të fillojë të shlyhet vitin e ardhshëm. Në vitin 2016 janë nënshkruar kontratat për ndërtim dhe për mbikëqyrje, gjithashtu me rregulla dhe detyrime të rrepta.
Ndryshimet e propozuara të trasës nga organizatat joqeveritare sigurisht që do të sillnin pasoja të rënda, si nga aspekti financiar, ashtu edhe nga perspektiva e planit të ardhshëm të zhvillimit të gazifikimit. Por edhe sikur Qeveria t’i injoronte të gjitha këto detyrime ligjore dhe kontraktuale, të vendoste për atë ndryshim dhe ta linte tërë rajonin e Pollogut dhe zona të tjera të ngroheshin me dru, ndërsa fabrikat të punonin me energji elektrike të shtrenjtë – cila është garancia se pas pesë-gjashtë vitesh nuk do të paraqiteshin organizata joqeveritare ose shoqata të tjera qytetare, të cilat ndoshta do të kishin edhe argumente më të forta dhe do t’i kundërviheshin trasës së re të propozuar.
Cilat janë prioritetet tuaja në periudhën e ardhshme?
Me huazimin rus është ndërtuar trasa nga Kleçovca deri në Shtip, ndërsa me kredinë nga Deutsche Bank dhe Erste Bank po ndërtohet linja nga Shtipi në Negotinë. Aktualisht po ndërtohen edhe segmenti nga Negotina në Manastir dhe segmenti nga Shkupi në Gostivar me degëzim drejt Tetovës. Për momentin, Maqedonia ka vetëm një interkoneksion të gasit – me Bullgarinë, në Kriva Pallankë, në gassjellësin me të cilin menaxhon GAMA. Aktualisht po punohet në lidhjen interkonektuese me Greqinë përgjatë trasës së naftësjellësit, dhe planifikohet edhe lidhje me Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë.
nterkoneksioni me kompaninë greke DESFA është prioriteti ynë kryesor. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetin për shkak të diversifikimit të burimeve të furnizimit, pasi ne do të kemi lidhje direkte me gassjellësin TAP, i cili përdor burimet nga Shah Deniz në Azerbajxhan. Në muajt e kaluar kemi zhvilluar negociata intensive me DESFA-n për këtë interkoneksion dhe tashmë është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Presim që deri në fund të shtatorit të kemi studimin e fizibilitetit dhe të aplikojmë për grant për projektin bazë. Paralelisht, kemi mbajtur negociata edhe me institucione financiare ndërkombëtare për të mbyllur strukturën financiare, e cila do të përbëhet nga një pjesë grant dhe një pjesë kredi e butë.
Parashihet që interkoneksioni me Greqinë të ndjekë trasën e naftësjellësit ekzistues, nga Negotina përmes Gjevgjelisë, dhe të lidhet në Nea Mesimvria, në territorin grek, e cila është e lidhur drejtpërdrejt me TAP-in. Pjesa jonë e gazsjellësit do të jetë rreth 78 kilometra e gjatë.
Gjithashtu janë drejt përfundimit negociatat për interkoneksionet me Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Për ne është shumë e rëndësishme lidhja me Kosovën, sepse mund t’i përdorim gazsjellësat tanë për tranzit të gasit drejt Kosovës. Këtë duhet ta realizojmë shpejt. Me lidhjen me Serbinë dhe Shqipërinë, rajoni do të bëhet shumë më konkurrues dhe do të kemi burime alternative të furnizimit me gaz.
Si po zhvillohen punimet në segmentet nga Negotina në Manastir dhe nga Shkupi në Gostivar me degëzim drejt Tetovës, dhe a ka interes nga kompanitë në zonat industriale për t’u lidhur me gazsjellësin?
Në të dy segmentet, dinamika e realizimit është 23–25 për qind. Përveç fondeve për ndërtim, janë siguruar edhe mjetet për eksproprijim, dhe po punojmë intensivisht që procedura e eksproprijimit – që është voluminoze – të përfundojë në kohë, megjithëse deri tani po zhvillohet mirë. Ka disa probleme me planet urbanistike të miratuara nga komunat pas përkufizimit të trasës, dhe ne po punojmë që këto pengesa të hiqen sa më shpejt, në mënyrë që të vazhdohet puna dhe projekti të përfundojë me kohë. Sipas planit tonë dinamik, punimet ndërtimore në të dy segmentet duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2019 dhe fillimin e vitit 2020; më pas do të vijojnë kontrollet teknike dhe testimet, dhe presim që në gjysmën e dytë të vitit 2020 të jenë funksionale. Këtë vit parashihet të ndërtohen rreth 40 kilometra të këtij segmenti.
Në të dy segmentet, dinamika e realizimit është 23–25 për qind. Përveç fondeve për ndërtim, janë siguruar edhe mjetet për eksproprijim, dhe po punojmë intensivisht që procedura e eksproprijimit – që është voluminoze – të përfundojë në kohë, megjithëse deri tani po zhvillohet mirë. Ka disa probleme me planet urbanistike të miratuara nga komunat pas përkufizimit të trasës, dhe ne po punojmë që këto pengesa të hiqen sa më shpejt, në mënyrë që të vazhdohet puna dhe projekti të përfundojë me kohë. Sipas planit tonë dinamik, punimet ndërtimore në të dy segmentet duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2019 dhe fillimin e vitit 2020; më pas do të vijojnë kontrollet teknike dhe testimet, dhe presim që në gjysmën e dytë të vitit 2020 të jenë funksionale. Këtë vit parashihet të ndërtohen rreth 40 kilometra të këtij segmenti.
Interes për lidhje me gazsjellësin, sigurisht që ka nga kompanitë, sepse me ndërtimin e gazsjellësit do të rritet konsumi i gasit, gjë që do të çojë në uljen e çmimit të tij për konsumatorët finalë. Në uljen e çmimit do të ndikojë edhe lidhja interkonektuese me Greqinë, sepse Maqedonia do të furnizohet nga dy drejtime – me gaz rus nga Gazpromi përmes Bullgarisë dhe me gaz azerbajxhanas nga DESFA përmes Greqisë – gjë që do të nxisë konkurrencën dhe do të ulë çmimet.