PAVARËSIMI ENERGJETIK SI MBROJTJE NGA NDIKIMET KEQDASHËSE

Kompania shtetërore e gazit “Gazprom” është furnizuesi më i madh me gaz i shteteve të Evropës. Rusia ofron zakonisht gaz me çmim të lirë dhe është lehtë i qasshëm, gjë që ka bërë shumë vende të Evropës të heqin nga përdorimi thëngjillin dhe centralet atomike si burim energjie.

Por, furnizimi me gaz nuk është vetëm çështje teknike. Varësia e një vendi nga gazi i Rusisë i jep Kremlinit hapësirë të madhe për ndikim në punët e brendshme të atij vendi. Gazi natyror përbën 22 përqindëshin e energjisë së përgjithshme të shfrytëzuar në Evropë, ku Rusia është furnizuesi më i madh.

Kjo e bën kontinentin e vjetër më të ekspozuar ndaj ndikimit rus, i cili shpesh prodhon konflikte dhe përplasje që përputhen me gjeostrategjinë ruse.

BALLKANI NË RRJEDHËN E GAZIT RUS

Vendet e Ballkanit Perëndimor po ashtu janë të varura nga gazi i Rusisë. Ky rajon tradicionalisht është parë nga Moska si pjesë e sferës së ndikimit të saj. Njëjtë si Evropa, edhe gjashtë vendet e Ballkanit – Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut (RMV), Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina – furnizohen me gaz kryesisht nga “Gazprom”. A mund Rusia të përdorë këtë varshmëri si mjet për të rritur ndikimin?

Bajram Rexhepi, drejtor i kompanisë shtetërore të RMV “Resurset Kombëtare Energjetike” thotë se energjia është faktori kyç në gjeopolitikën e këtij shekulli. Por thekson se, përveç Serbisë, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk përdorin shumë gaz natyror.

“Edhe kjo sasi e vogël që përdoret është krejtësisht gaz nga Rusia”, thekson Rexhepi në një bisedë për “The Geopost”.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është më pak i cenueshëm sesa pjesa tjetër e Evropës Lindore dhe e BE-së në përgjithësi. Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë, se vende të fuqishme brenda BE-së kanë treguar një mungesë solidarizimi dhe disharmoni të jashtëzakonshme me shtete të Evropës Lindore. Kjo prodhon një cenueshmëri të lartë në këto shtete dhe dëme të pallogaritshme ekonomike dhe gjeopolitike”, thotë Rexhepi.

Megjithatë, shumë projekte janë realizuar që kanë për qëllim diversifikimin e furnizimeve me gaz të Evropës dhe ballkanit. Lëshimi në përdorim i rrjedhës Jugore – TAP dhe ndërtimi i LNG terminaleve të reja në rajon vlerësohet se në mënyrë të konsiderueshme e kanë zvogëluar varshmërinë energjetike nga Rusia. Të gjitha këto parakushte, megjithatë, nuk kanë arritur ta neutralizojnë Rusinë.

“Besoj se e kemi të qartë se energjetika është arma më e fuqishme gjeopolitike sot”, thotë Rexhepi. Por, shton ai, në anën tjetër ekonomia e tregut është vlera fundamentale e sistemeve demokratike. Në ndërkohë Rexhepi rikujton se RMV si shtet ka pranuar të përmbushë objektivat e “EU-Green Deal”, që deri në vitin 2050 të çlirohemi nga shfrytëzimi i burimeve fosile të energjisë. Kjo kërkon investime të mëdha në kapacitete të reja dhe ekologjike, ndërkohë por edhe krijon një zbrazëti në tregun energjetik.

“Rusia sigurisht që nuk do të jetë vetëm spektator i këtij tranzicioni. Në këtë shumëkëndësh interesash, një strategji afatgjate dhe mjeshtëri politike është më se e nevojshme, por shpeshherë është edhe e pamjaftueshme”, thotë Rexhepi. “Unë besoj se ne si shtet jemi në rrugë të mbarë për të siguruar qëndrueshmëri energjetike, por fatkeqësisht jemi aktor shumë i vogël në kuptimin energjetik dhe jemi në varësi direkte nga orientimet e aktorëve të mëdhenj”.

RRITJA E ÇMIMEVE PËR SHKAKTIMIN E KRIZËS

Kriza energjetike në Evropë, e cila u shfaq në tetor, është dëshmia më e dukshme e varësisë së Evropës nga rrjedhat e gazit rus. Paralelisht me uljen e rezervave evropiane, çmimet standarde të gazit shkuan deri më 162 euro (188 dollarë) për megavat-orë. Krahasuar me fillimin e vitit 2021, kur një megavat-orë ishte vetëm 20 euro, çmimi tash është më i lartë për tetë herë. Kjo ndodhi pasi në shtator u lëshua në përdorim “Rrjedha Veriore” e gazit, të cilën “Gazprom” filloi ta mbushë në llogari gazsjellësit që kalon nëpër Ukrainë.

Por, Rexhepi thotë se ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë krizë: “I pari ishte rritja e mënjëherëshme e kërkesës për resurse të energjisë në shumë vende të Evropës pas përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe gjatë dimrit më të gjatë se zakonisht. I dyti, këtë verë kishte një situatë të disfavorshme për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e renovueshme, dhe sidomos ato me erë. Dhe i treti, që është faktori kryesor i krizës, është reduktimi i menjëhershëm i rrjdhës se gazit rus nepër Ukrainë, pasi ato filluan të mbushin gazsjellësin në rrjedhën e re Baltike”.

Në ndërkohë, Bashkimi Evropian është duke reduktuar në mënyrë të konsiderueshme përdorimin e qymirit dhe energjisë bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike.

“Këtu duhet të kërkohet shkaku kryesor i kësaj krize energjetike”, shton Rexhepi. Sipas tij, efektet negative ekonomike tani më janë reale, edhe përkundër subvencionimit dhe intervenimeve që bëjnë shumica e qeverive në vendet e BE-së, dhe të rajonit.

“Është e qartë se në shumë shtete do ketë inflacion bile edhe dyshifrorë për shkak se shumica e industrive janë në varësi direkte nga energjia elektrike dhe gazi natyror”, thekson Rexhepi.

Sipas të dhënave zyrtare nga e vitit të kaluar, në RMV janë harxhuar rreth 7400 GWh energji elektrike dhe rreth 3200 GWh gaz natyror. Pjesa dërmuese e gazit natyror shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike nga kompania “TeTo”. Kjo kompani ishte në pronësi të oligarkut nga Rusia, Leonid Lebedev, i cili në vitin 2019 e çoi kompaninë në falimentim. “TeTo” ishte kompani e përbashkët Lebedevit dhe SHA “Toplifikacija” nga Shkupi, e cila që nga viti 1997 ka punuar me saldo pozitive. Për këtë shkak, ekspertët kanë ngritur alarmin se bëhet fjalë për falimentim të rrejshëm me qëllim që Lebedev të tërheqë më shumë se 150 milionë euro nga kompania.

LIDHJA NË RRJEDHAT ALTERNATIVE

RMV aktualisht ka vetëm një linjë ndërlidhëse të furnizimit me gaz nga Bullgaria, me kapacitet prej 800 milionë m3 në vit. Gazi që vjen nga Bullgaria është në fakt i prodhuar në Rusi.

“Kjo do të thotë se jemi krejtësisht të varur nga gazi Rus”, thotë Rexhepi. “Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që vitin e ardhshëm të fillojë ndërtimi i linjës së interkonekcionit më Greqinë dhe kështu do të krijojmë qasje për furnizim nga shumë burime të tjera. Plani jonë është që deri në fund të vitit 2023 kjo linjë të jetë në përdorim dhe të kemi shumë më tepër burime furnizimi.”

Në planin e brendshëm, ku duhet të ndërtohet rrjeti primar dhe sekondar i gazsjellësit, ka shumë vonesa. Ka kohë që paralajmërohet ndërtimi i gazsjellësit në Maqedoninë e Veriut, por ekonomitë dhe amvisëritë ende nuk arrijnë ta shfrytëzojnë si energji.

Drejtori Rexhepi thotë se planifikimi dhe ndërtimi i kapaciteteve energjetike nuk është se bëhet për një vit. “Natyra e këtyre projekteve kërkon një planifikim afatgjatë. Gazi natyror përdoret edhe sot, por jo në mënyrë masovike. Plani jonë është që të ketë shfrytëzim masiv, por të ketë edhe arsyeshmëri ekonomike”.

Ai njofton se janë ndërtuar rreth 270 km të rrjetit të transmisionit dhe mbeten edhe rreth 10 km që të përfundohen projektet aktuale. “Akoma jemi në krizë pandemie dhe nuk është mirë të bëjmë parashikime të sakta. Megjithatë besoj se, nëse nuk paraqitet ndonjë situatë e jashtëzakonshme, vitin e ardhshëm të gjitha këto akse do të lëshohen në përdorim dhe do të kemi të përzgjedhur edhe kompaninë që do të bëjë distribuimin nëpër qytete”, thotë Rexhepi.

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës se do ta pezullojë ndërtimin e linjës së ndërlidhjes së gazit me RMV, Rexhepi i vlerëson si të ngutshme.

“Besoj se është e nevojshme të sqarohen disa fakte të rëndësishme. E para nëpërmjet këtij interkonekcioni Kosova do të mund të furnizohet me gaz nga çdo furnizues në botë, përfshi edhe LNG – Amerikane. E dyta, kjo infrastrukturë përveç transmisionit të gazit do të mund të shfrytëzohet edhe për transmision të hidrogjenit. Pra, do të shfrytëzohet edhe më gjatë se në 30 vitet e ardhshme. E treta , gazi është një resurs shumë më ekologjik i energjisë dhe do të jetë e vetmja mënyrë për të balancuar sistemin energjetik që pretendohet të bazohet në burime të renovueshme”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, nëse Kosova pezullon këtë projekt atëherë në 10 viteve të ardhshme do të rrisë në mënyrë të vazhdueshme varshmërinë e energjetike nga importi i energjisë elektrike.

“Kjo mund të krijojë jostabilitet ekonomik dhe rritje të ndjeshme të shkallës së inflacionit”, thekson Rexhepi.

Autor: Xhelal Neziri, bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi