Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet “Nomagas” SHA Shkup dhe “Srbijagas”

Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ndërmarrjes Publike “Srbijagas” Novi Sad dhe Shoqërisë Aksionare “Nomagas” SHA Shkup u nënshkrua sot në Beograd. Dokumentin për bashkëpunimin e ardhshëm dypalësh ndërmjet kompanisë kombëtare të gazit të Serbisë dhe operatorit të sistemit kombëtar të transportit të gazit natyror të Maqedonisë së Veriut e nënshkruan drejtorët e përgjithshëm të “Srbijagas” dhe “Nomagas” SHA Shkup, Dushan Bajatoviq dhe Muhamet Elmazi.

Me këtë akt, të dyja palët konfirmojnë vullnetin politik të shprehur në Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit në fushën e gazit, të nënshkruar në Shkup në tetor të vitit 2024 nga ministritë përkatëse të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në rëndësinë e ndërlidhjes së tregjeve energjetike, forcimin e sigurisë së furnizimit me gaz dhe diversifikimin e rrugëve të furnizimit me gaz natyror.
“Ky projekt strategjik, me rëndësi të veçantë për të dyja shtetet, do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike në rajon, avancimin e tranzicionit energjetik dhe diversifikimin e drejtimeve të furnizimit, balancimin më efikas të ofertës dhe kërkesës për gaz natyror, si dhe integrimin e tregjeve rajonale të gazit”, deklaroi drejtori Elmazi.

Me nënshkrimin e këtij dokumenti, “Srbijagas” dhe “Nomagas” SHA Shkup shprehin synimin e tyre që në një afat sa më të shkurtër të realizojnë ndërtimin e interkonektorit të gazit Maqedonia e Veriut – Serbia në territoret e tyre, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë në zhvillimin e këtij projekti strategjik, me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit me gaz, balancimin e ofertës dhe kërkesës, si dhe lehtësimin e operacioneve ndërkufitare të transportit.
Drejtori Elmazi theksoi se interkonektori do të lidhë sistemet e transmetimit të gazit natyror të të dyja vendeve përmes një gazsjellësi me gjatësi rreth 70 kilometra – 47 kilometra në territorin e Serbisë dhe 23 kilometra në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Lidhja do të realizohet ndërmjet qyteteve Kllëçovcë dhe Vranjë, ndërsa në kuadër të projektit parashihet ndërtimi i një stacioni kryesor matës në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe një stacioni kontrollues matës në anën serbe.
Interkonektori ndërmjet dy shteteve, për të cilin së shpejti do të përgatitet Studimi i Fizibilitetit, do të mundësojë rrjedhë dypalëshe të gazit natyror në sasi prej 1,5 miliardë metra kub në vit.
Hartimi i studimit mbështetet nga Western Balkan Investment Framework (WBIF) – Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Diametri i interkonektorit të ardhshëm do të jetë 500 mm, me presion nominal prej 55 bar.
“Me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, palët kontraktuese shprehin mbështetjen e tyre për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore dhe për krijimin e një tregu rajonal energjetik si pjesë e tregut të brendshëm energjetik të Bashkimit Evropian”, përfundoi drejtori Elmazi.