Drejtori i AD NOMAGAS pjesë e delegacionit qeveritar në Uashington në Dialogun Strategjik me SHBA-të

Drejtori i AD NOMAGAS Shkup, Nedim Rama, ndodhet për vizitë në Uashington, ku po mbahet sesioni i dytë i Dialogut Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me pjesëmarrjen e një delegacioni të lartë qeveritar.

Në përbërje të delegacionit janë ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, si dhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Në kuadër të dialogut po zhvillohen disa takime tematike në Departamentin e Shtetit, si dhe takime bilaterale me përfaqësues të lartë të SHBA-ve, ndër të cilët edhe zëvendëssekretari i shtetit Kristofer Landau dhe Brendan Hanrahan nga Byroja për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Dialogu Strategjik paraqet një mekanizëm të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe konfirmimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve.

Theks i veçantë në bisedime i është kushtuar energjetikës si segment kyç për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ndërlidhje rajonale.

Përmes këtij procesi hapen mundësi për realizimin e projekteve dhe iniciativave konkrete që do të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë energjetike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Dialogu Strategjik e forcon pozicionin e shtetit si partner kredibil, me orientim të qartë drejt vlerave të përbashkëta dhe prioriteteve euroatlantike.