NOMAGAS SHA Shkup dhe operatori grek i përçimit të gazit natyror, DESFA, nënshkruan një Memorandum mirëkuptimi me të cilin e thellojnë bashkëpunimin që synon përforcimin e ndërlidhjes rajonale me energji dhe sigurinë e furnizimit me energji.
Qëllimi i këtij Memorandumi është ta zhvillojë bashkëpunimin midis palëve në fushat me interes të ndërsjellë, në përputhje me qëllimet dhe parimet e palëve. Ky Memorandum mirëkuptimi e konfirmon angazhimin e palëve për përforcimin e partneritetit të tyre dhe për të çuar përpara zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme dhe efikase të gazit natyror.
Ky Memorandum i përfshin fushat e zhvillimit të infrastrukturës me integrimin e teknologjive të reja, ndarjen e njohurive në lidhje me çështjet rregullatore, ndarjen e njohurive në lidhje me inovacionet teknike dhe teknologjike, ndarjen e praktikave në fazat operative, si dhe bashkëpunimin në optimizimin e strategjive financiare.
Memorandumi u nënshkrua në Athinë, në kuadër të Samitit ballkanik energjetik të 9-të, nga drejtori ekzekutiv i NOMAGAS-it, Muhamet Elmazi dhe drejtoresha e përgjithshme e DESFA-s, Maria Rita Gali, në prani të ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, dhe zëvendësministrit të Energjisë në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Energjetikës së Republikës së Greqisë, Nikos Cafos.
“Ky Memorandum e potencon rolin e NOMAGAS-it në sigurimin e një furnizimi të sigurt dhe të larmishëm me energji për vendin tonë, si dhe në mbështetjen e tranzicionit energjetik. Në të njëjtën kohë, NOMAGAS po pozicionohet si një lidhje kyçe për përçimin e gazit natyror dhe hidrogjenit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, duke I përforcuar sistemet e tyre energjetike. E gjithë kjo do të realizohet përmes partneritetit strategjikisht të rëndësishëm me DESFA-n, e cila, si një pikë lidhjeje energjetike, përdor fleksibilitetin dhe kapacitetin e saj”, tha Muhamet Elmazi, drejtori ekzekutiv i NOMAGAS-it.
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, potencoi: “Nënshkrimi i sotëm është një konfirmim i qartë i vizionit tonë strategjik: t’i lidhim, diversifikojmë dhe përgatisim sistemet tona energjetike për të ardhmen. Përforcimi i partneritetit midis NOMAGAS-it dhe DESFA-s do të thotë hapja e Maqedonisë së Veriut ndaj tregjeve të reja të energjisë dhe siguri më e madhe e furnizimit, ndërkohë që mbështet drejtpërdrejt kalimin tonë drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë”.
Ndërlidhësi është projektuar jo vetëm për nevojat e sotme, por edhe për të ardhmen energjetike – një të ardhme në të cilën teknologjitë e qëndrueshme do të luajnë një rol kyç. Me këtë hap, ne jo vetëm që po sigurojmë qëndrueshmëri më të madhe për vendin tonë, por gjithashtu po kontribuojmë për një rajon energjetik më të fortë dhe më të integruar në Evropën Juglindore.”