NOMAGAS-i e rriti vlerën e kapitalit të vet – një hap i ri drejt zhvillimit të qëndrueshëm të infrastrukturës së gazit


Shkup, 13.06.2025 – Shoqëria aksionare për aktivitete energjetike, NOMAGAS SHA Shkup, në pronësi shtetërore e rriti me sukses vlerën e kapitalit të saj duke i kthyer kërkesat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bazë të kërkesave të paguara ndaj kreditorëve të huaj në depozitim të përhershëm.
Ky hap i rëndësishëm, i zbatuar me iniciativën e NOMAGAS-it dhe me mbështetjen dhe propozimin e Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, paraqet bazë të fortë për funksionimin e suksesshëm dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së gazit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe forcimin e pozicionit të saj si pjesë e korridorit evropian të energjetikës Veri-Jug.
“Me punë të përbashkët dhe të koordinuar, suksesi është i pashmangshëm. Me miratimin e këtij ligji, shteti ka treguar seriozitet dhe kontribut në zhvillimin e gazifikimit në Maqedoni”, deklaroi drejtori i NOMAGAS-it, z.Muhamed Elmazi.
Vendimi bazohet në dy parime të qarta – rritjen e efikasitetit të punës së NOMAGAS-it dhe sigurimin e stabilitetit financiar dhe solvencës së kompanisë.
Kjo masë vjen në një moment vendimtar – menjëherë pas fillimit me sukses të punës së Gazsjellësit interkonektues me Republikën e Greqisë, një projekt me rëndësi strategjike për lidhjen rajonale të energjisë. Për NOMAGAS-in, kjo paraqet një tjetër konfirmim të angazhimit si kompani në përmbushjen e standardeve evropiane për operatorët e sistemit të përçimit të gazit natyror.
“Me këtë ligj u rrit solvenca e NOMAGAS SHA Shkup dhe si operator i sistemit të transmetimit të gazit natyror, do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e sistemit nacional të gazsjellësit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të furnizimit të ekonomisë, sektorit publik dhe amvisërive me energji të lirë dhe ekologjike, duke e zvogëluar njëkohësisht emetimin e gazrave të dëmshme në atmosferë”, shtoi Elmazi.
Me aktivitete të tilla, NOMAGAS e konfirmon rolin e saj si nxitëse e tranzicionit energjetik dhe integrimit të Maqedonisë së Veriut në tregun rajonal dhe evropian të energjisë.