Maqedonia e Veriut do të mund të furnizohet me gaz nga burime të shumta përmes Bullgarisë. Kjo u bë e mundur pas nënshkrimit të sotëm të Marrëveshjes për Lidhjen Ndërsistemetike për Furnizimin dhe Shpërndarjen e Gazit në Pikën Ndërkonektive Kjustendil-Židilovo, midis GA-MA AD dhe Bulgartansgaz EAD.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka një rëndësi të madhe, pasi hap mundësinë për rritjen e kapacitetit aktual të gazsjellësit me Bullgarinë, si dhe çlirim të kapaciteteve shtesë për përdorim nga furnizues të shumtë dhe diversifikim të burimeve tona të furnizimit, si dhe për përdorimin e të gjitha burimeve që aktualisht janë të pranishme në tregun e gazit natyror në Republikën e Bullgarisë,” deklaroi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Sofje.
Marrëveshjen e nënshkruan Drejtori Ekzekutiv i GA-MA AD Shkup, Aleksandar Arsiç, dhe Drejtori Ekzekutiv i Bulgartansgaz, Vladimir Malinov.
Në nënshkrimin e marrëveshjes mori pjesë gjithashtu Drejtori Ekzekutiv i Resurseve Kombëtare Energjetike AD Shkup, Bajram Rexhepi.
Marrëveshja për ndërkoneksionin midis GA-MA AD dhe Bulgartansgaz përcakton në detaje kushtet, procedurat operative dhe dispozitat në lidhje me dorëzimin e gazit natyror në pikën e ndërkoneksionit në kufirin maqedono-bullgar, në Pikën Ndërkonektive Kjustendil-Židilovo,
me qëllim lehtësimin e ndërveprimit efikas të rrjetit të transmetimit të lidhur.
Konkretisht, marrëveshja rregullon rritjen e presionit në stacionin e kompresimit. Kapaciteti teknik i pikës së dorëzimit do të jetë 3,044,000 metra kub normal, që do të thotë se kapaciteti teknik rritet për 500,000 metra kub normal, me mundësi çlirimi të kapaciteteve shtesë të pashfrytëzuara aktualisht.
Marrëveshja gjithashtu ndryshon metodologjinë për llogaritjen e sasisë së gazit dhe mënyrën e përcaktimit të cilësisë së tij, analizës dhe kontrollit të rregullt; pra, matja e energjisë do të bëhet në kilovat-orë, në vend të metrave kub standardë në temperaturën referencë prej 20 gradësh.
Spektri i përbërjes së lejuar të gazit zgjerohet, duke mundësuar importin e gazit nga burime të ndryshme. Vlerat minimale/maksimale të përbërjes së gazit janë harmonizuar me ato të fqinjëve, Greqisë dhe Bullgarisë, ku gjithashtu mund të ketë furnizim nga burime të tjera.
Përcaktohet fillimi i ditës së gazit nga ora 06:00, në vend të 08:00, për t’u përshtatur me standardet e BE-së.
Fillimi i implementimit është caktuar nga 01.01.2023. Periudha deri në fillimin e implementimit do të shfrytëzohet si periudhë testimi midis të dy operatorëve, ku do të zhvillohen praktikisht të gjitha procedurat operative. Ndërkohë, do të nënshkruhen marrëveshje të reja me
furnizuesit dhe përdoruesit dhe do të miratohen rregulla të reja pune.