Nënshkruhet Marrëveshja për projektimin dhe ndërtimin e gazsjellësit interkonektiv Maqedoni – Serbi
Drejtori i SHA „NOMAGAS“, Nedim Rama, dhe drejtori i kompanisë „Rapid Build“, Toni Karanfilovski, sot nënshkruan Marrëveshjen për projektimin dhe ndërtimin e gazsjellësit interkonektiv Maqedoni – Serbi.
Në nënshkrimin e marrëveshjes morën pjesë Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, dhe Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska.
Pas zhvillimit të procedurës për dhënien e kontratës, si oferta më e favorshme u përzgjodh oferta e kompanisë „Rapid Build“, në vlerë prej 29,4 milionë eurosh. Kontrata do të realizohet sipas parimit „çelës në dorë“, në përputhje me modelin FIDIC, dhe përfshin të gjitha fazat kryesore të projektit – planifikimin urbanistik, projektimin, ndërtimin dhe sigurimin e lejes së përdorimit.
„Me nënshkrimin e marrëveshjes krijohen kushtet për realizimin e një projekti të rëndësishëm infrastrukturor. Pas zhvillimit të procedurës për dhënien e kontratës, si oferta më e favorshme u përzgjodh oferta e kompanisë ‘Rapid Build’, në vlerë prej 29,4 milionë eurosh. Bëhet fjalë për një kontratë sipas parimit ‘çelës në dorë’, në përputhje me modelin FIDIC, e cila përfshin planifikimin urbanistik, projektimin, ndërtimin dhe sigurimin e lejes së përdorimit“, theksoi drejtori i SHA „NOMAGAS“, Nedim Rama.
Pjesa maqedonase e gazsjellësit interkonektiv do të jetë me gjatësi prej 22,4 kilometrash dhe me diametër prej 500 milimetrash. Traseja do të fillojë pranë stacionit-bllok „Kleçovcë“ dhe do të përfundojë në kufirin maqedono-serb, në afërsi të fshatit Sopot.
Si pjesë e projektit parashihet edhe ndërtimi i pesë objekteve shoqëruese: stacionit kryesor matës të interkonektorit, stacionit reduktues, stacionit-bllok dhe dy stacioneve pranuese-dërguese për pastruesit e gazsjellësit.
Kapaciteti teknik i projektuar i gazsjellësit është deri në 160.000 metra kub gaz natyror në orë. Interkonektori është paraparë të mundësojë rrjedhje të gazit në të dy drejtimet, duke krijuar mundësi shtesë për lidhjen dhe funksionimin e sistemit të transmetimit të gazit.
Në përputhje me dinamikën e paraparë, realizimi i plotë i projektit është planifikuar deri në tremujorin e katërt të vitit 2028.








